Bashkia e Tiranës dhe OSBE – Seminar me 40 të rinj nga Ballkani

Tirana do të mirëpresë 40 të rinj nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia, të cilët përmes sesioneve interaktive, simulimeve dhe aktiviteteve në natyrë, do të diskutojnë për tematika të ndryshme që shqetësojnë rininë e sotme në Ballkanin Perëndimor.

Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) njoftoi thirrjen për aplikime për të gjithë të rinjtë të cilët dëshirojnë që të marrin pjesë në trajnimin me temë “Shtigje rinore: Promovimi i Vlerave të OSBE-së në Ballkanin Perëndimor” që do të mbahet në Tiranë nga data 13-17 Shtator 2017.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi këtë nismë si një mundësi fantastike për edukimin e një gjenerate të re në Ballkan me ambicien drejt Bashkimit Europian. “Në Shtator duam që 40 të rinjtë që do të vijnë nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, nga Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Bosnja të kenë mundësi të zbulojnë Tiranën, Shqipërinë, të kenë mundësi të organizojnë debate mes njëri-tjetrit, si një mënyrë për të kuptuar se si një gjeneratë e re e të rinjve dhe aktivistëve në Ballkan mund të çojë përpara ambicien tonë për një rajon që është evropian përpara se të regjistrohet zyrtarisht në Europë, që të fillojë edhe të sillet pak më evropian brenda vetes”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se të rinjtë kanë aftësinë që të luftojnë steriotipet e së shkuarës, të jenë mendjehapur për të punuar për të ardhmen. “A ka shpresë te një gjeneratë që i ka krijuar steriotipet? Te një gjeneratë që tashmë e ka ndarë mendjen çfarë mendon për botën dhe nuk hapet ndaj gjërave të reja? Të rinjtë janë më mendjehapur, nuk kanë fije të lidhura me të kaluarën, nuk kanë një axhendë me interes apo me prejardhje për çdo gjë dhe unë e shoh se si edhe në Shqipëri kjo situatë ka ndryshuar. Shumica e të rinjve janë mendjehapur dhe marrin vendimet në bazë të përvojave të tyre personale. Po kështu edhe në Kosovë, Bosnje, në Mal të Zi. Sepse ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa ato që na ndajnë, sidomos te kjo grupmoshë”, tha ai.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, u shpreh se të rinjtë nga gjashtë vende të ndryshme të Ballkanit do të kenë mundësi që të diskutojnë për çështjen e trafikimit, korrupsionit dhe të ekstremizmit fetar. Borchardt vlerësoi mbështetjen që Bashkia e Tiranës i ka dhënë kësaj nisme si një mundësi shumë e mirë për të rinjtë. “Do të përzgjidhen 40 të rinj nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Ata do të mblidhen në Tiranë dhe një nga gjërat që do të diskutojnë janë fusha si trafikimi, anti-korrupsioni, ekstremizmi i dhunshëm fetar etj, si këto, por do të ketë edhe aktivitete më argëtuese, siç do të jenë koncerte, apo shënjimi i disa shtigjeve në Tiranë dhe në rrethina. Mua më vjen shumë mirë që patëm mundësi të mobilizonim një sërë partnerësh për ta mbështetur këtë aktivitet. Pikë së pari kur them partner, kam parasysh Bashkinë e Tiranës dhe Agjencisë Austriake për Bashkëpunim. Ky është një projekt shumë i mirë, një iniciativë shumë e mirë dhe ndihemi mirë që kemi mundësi të jemi pjesë e tij”, tha Borchardt.

Afati i regjistrimit për të gjithë ata të rinj që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj nisme është data 13 Gusht.

Bashkia E Tiranës Dhe OSBE – Seminar Me 40 Të Rinj Nga Ballkani

Flickr Album Gallery Powered By: Weblizar